Humbje e madhe për artin shqiptar! Mbyll sytë përgjithmonë figura e njohur, dhimbje për të gjithë
Ramazan Bogdani, një prej figurave të respektuara të artit shqiptar, ka ndërruar jetë këtë të hënë në moshën 92 vjeçare. Lajmin e trishtë e jep komuniteti tiranas dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, mes dhimbjes për ikjen e akademikut dhe ish-balerinit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Prof. dr. Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Ai kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1948–1952), vijoi më pas në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë.
Veprimtarinë e tij artistike e nisi që në moshë të re. Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

Grupi përfaqësoi me dinjitet kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare, duke u vlerësuar me dhjetëra çmime dhe vlerësime në turnetë dhe festivalet e zhvilluara jashtë vendit.
Në vitin 1967 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Veprimtaria e tij shkencore në këto institucione vijoi deri në daljen në pension. Gjatë kësaj periudhe ai iu kushtua kërkimit shkencor, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore e koreografike shqiptare.
Trashëgimia e tij shkencore dhe botuese është e pasur dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për etnokoreologjinë shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Gjurmime koreografike” (1995), “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997), “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005) dhe “Etnokoreografi” (2008) etj.
Përkushtimi, puna kërkimore dhe kontributi i tij shumëvjeçar në dokumentimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare do të mbeten një vlerë e çmuar për studiuesit, artistët dhe brezat e ardhshëm.
Me ndarjen e prof.dr. Ramazan Bogdanit nga jeta, kultura shqiptare humbet një prej studiuesve dhe personaliteteve të rëndësishme të trashëgimisë sonë folklorike, i cili ia kushtoi jetën ruajtjes, studimit dhe promovimit të vlerave të muzikës e të valleve tradicionale shqiptare.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”, në Rrugën e Durrësit, pranë ish-Ambasadës Jugosllave. Varrimi do të bëhet të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 12:00, në varrezat e Sharrës.
Vizitat për ngushëllime do të priten të mërkurën dhe të enjten, në oraret 10:00–13:00 dhe 17:00–20:00, në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”.
Burimi: Newsbomb.al
